D4169a92 67cf 4654 ad70 808171196bf8

Amerikanët e duan Kosovën në OSBE, “Paqja në Ballkan arrihet vetëm kur ajo të jetë partnere e barabartë”

Misioni i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në OSBE kanë bërë një vlerësim për raportin e kreut të OSBE-së në Kosovë të bërë në Këshillin e Përhershëm të organizatës.

Amerikanët ritheksojnë në një komunikatë në faqen zyrtare të tyre se paqja dhe stabiliteti afatgjatë në Ballkanin Perëndimor mund të arrihet vetëm kur Kosova të integrohet si partner i plotë dhe i barabartë.

“Siç e kemi thënë më parë, stabiliteti, prosperiteti dhe paqja afatgjate në Ballkanin Perëndimor janë të arritshme vetëm kur Kosova të integrohet si një partner i plotë dhe i barabartë. OSBE-ja luan një rol në lëvizjen përpara të rajonit drejt këtij synimi”, thekson komunikata.

Ndërkaq thuhet se përmes punës së presidentit amerikan, Donald Trump, dhe të emisarit, Richard Grenell, me marrëveshjen e 4 shtatorit, është bërë e mundur që Kosova dhe Serbia të përkushtohen për marrëveshjen historike për normalizim ekonomik të raporteve.

“Ne besojmë se këto marrëveshje do të sjellin rritjen e nevojshme ekonomike dhe të vendeve të punës në Serbi dhe Kosovë. Siç e përmendëm edhe në Këshillin e Përhershëm muajin e fundit, duke rritur besueshmërinë dhe bashkëpunimin mes palëve, këto marrëveshje përbëjnë një momentum për dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja, me synimin për një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizim”, thuhet më pas.

Lidhur me dialogun Kosovë – Serbi dje janë takuar edhe emisari i BE-së, Miroslav Lajcak dhe ambasadori amerikan, Philip Kosnett.

Diplomati amerikan ka thënë se do të punojnë bashkë me BE-në që finalja e dialogut të jetë njohja reciproke.