Bastet

Bastoret e heqin nga “loja” ndeshjen e Kosovës, Llapi – Feronikeli

Sindromi i dyshimeve për kurdisje të ndeshjeve në futbollin kosovar në fund të kampionatit i ka prekur edhe kompanitë më të mëdha botërore të basteve. “bet365” e ka hequr krejt nga opsioni lojën Llapi – Feronikeli, ndërsa çuditërisht i ka lëvizur në mënyrë drastike kuotat e dy ndeshjeve tjera të IPKO Superligës. Sidoqoftë gjithçka mbetet të shihet sot në fushën e blertë

Kompania më e madhe e basteve “bet365” e ka hequr nga opsioni ndeshjen ndërmjet Llapit dhe Feronikelit, të cilën nuk e ka në dispozicion në uebfaqen e vetë zyrtare, shkruan Gazeta Express.

Me këtë rast veç çka janë shtuar dyshimet mbi ndeshjen kryesore të xhiros së 32-të të IPKO Superligës, e cila do të zhvillohet sot.

Që prej humbjes së Llapit nga Prishtina, me ç’rast thuajse i ka humbur gjasat për titull, është përfolur për mundësinë që Llapi t’i bëjë “nder” Feronikelit, i cili i ka vetëm dy pikë më shumë se Prishtina, dy javë pa përfunduar sezoni, i cili deri tash konsiderohej si prej më të pastërve dhe më të rregulltve pasluftës.

Ndërkohë, tifozët llapjanë përmes rrjeteve sociale kanë kërkuar nga trajneri Tahir Batatina ta hap portën ndaj Feronikelit, pra t’ia lëshojë lojën, për inat të Prishtinës.

Ndërsa, vetë Batatina pas humbjes në derbi fundjavën që shkoi kishte thënë se “Prishtina nuk do të bëhet kampione dhe nuk besoj që do të bëhet”.

Për këto deklarata Komisari i Garave i FFK-së ka hapur procedurë disiplinore nga ndaj Batatinës.

“bet365” ndryshon çuditërisht kuotat për dy ndeshjet e sotme të Kosovës

Sot do të zhvillohen katër ndeshje në kuadër të xhiros së 32-të të IPKO Superligës së Kosovës në futboll, shkruan Gazeta Express.

Sezoni në kampionatin kosovar ka hyrë në fazën e fundit ku do të vendoset gjithçka rreth titullit të kampionit dhe skuadrave që do të përfundojnë në barazh.

Mirëpo, bastoret kanë nisur të dyshojnë në ndeshjet e kampionati kosovar dhe kuotat kanë nisur të lëvizin.

Për shembull, për ndeshjet e sotme Drita – Flamurtari e Drenica – Ballkani, kuotat kanë pësuar ndryshime në njërën prej bastoreve më të mëdha botërore, ‘bet365’.

Në fillim, kuotat e këtyre dy dueleve ishin të përafërta sa i përket fitores së mikpritësit, barazimit apo fitores së udhëtuesit, në bazë të cilësive të përafërta që kanë ekipet kosovare.

Mirëpo, sot për sot gjërat qëndrojnë ndryshe.

Është për t’u habitur kuota e fitores së Flamurtarit ndaj kampiones Drita në udhëtim.

Nga 2.87 tash kuota e Kuqezinjve ka rënë në 1.40.

Kurse, fitorja e gjilanasve kuotohet 7.50, në krahasim me 2.20 sa ishte fillimisht.

Ndërsa, ndryshime ka pasur edhe për ndeshjen Drenica – Ballkani.

Duke e pasur parasysh se të dyja skuadrave ju konvenon barazimi, kuota për “X” ka rënë nga 3.25 në 2.20.

Ndërkohë, Gazeta Express mëson se një kompani e huaj e kontraktuar nga UEFA po e monitoron kampionatin kosovar sikurse kampionatet tjera.

Kjo kompani zakonisht i zbulon ndeshjet e kurdisura, ndërsa më pas UEFA i godet klubet e “pista” me dënime.

Edhe Komiteti Ekzekutiv i FFK-së në mbledhjen e fundit të mbajtur të martën ka thënë se është duke i vëzhguar me kujdes dhe detajisht ndeshjet, në mënyrë që të mos lejojë kurdisje eventuale.

Sidoqoftë, mbetet të shihet sot, ku fusha e blertë do të tregojë gjithçka.