Mf

Dikastere të rëndësishme mbetën bosh në ministrinë e Financave, s’ka kandidatë potencial

Zyra Kombëtare e Auditorit ka publikuar të gjeturat për vitin që lamë pas në ministrinë e Financave, të udhëhequr nga ministri Bedri Hamza.

Ndër të tjera, Auditori ka gjetur se në ministrinë e Financave 15 pozita të dikastereve shumë të rëndësishme kanë mbetur bosh, shkruan lajmi.net.

Sipas Ligjit për Buxhetin e Kosovës për vitin 2018, kjo ministri kishte të aprovuara 333 pozita, ndërkaq që të plotësuara janë 319 sosh.

Këto të fundit kanë të bëjnë me:

Departamentin e Buxhetit (4).

Departamentin e Thesarit (3).

Departamentin e Partneritetit Publiko Privat (3).

Këshillin e Kosovës për Raportim Financiar (1).

Njësinë Qendrore Harmonizuese (1).

Departamentin e Politikave Fiskale (1).

Departamentin e Politikave Ekonomike dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar Financiar (1);

dhe  Departamenti i Shërbimeve të Përgjithshme (1).

Sipas Auditorit pozitat si: Drejtor i Departamentit të Politikave Ekonomike dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar Financiar dhe Udhëheqës Divizioni për Raportim Financiar, kanë mbetur të paplotësuara tashmë disa vite, përkundër faktit se janë pozita kyçe në strukturën organizative të MF-së.

MF gjatë vitit disa herë kishte shpallur konkurse për mbulimin e këtyre pozitave të lira me zyrtar të rregullt.

Arsyet e mosplotësimit të këtyre pozitave kryesisht kanë të bëjnë me mungesën e kandidatëve të përgjegjshëm për pozitat e shpallura, ndërsa në disa raste mungonte iniciativa e menaxhmentit për shpalljen e konkurseve dhe plotësimin e pozitave të lira.

Auditori jep vërejtjet se mosplotësimi apo vonesat në plotësimin e pozitave të caktuara, rrisin rrezikun që aktivitetet operative dhe menaxhuese të MF të mos kryhen me profesionalizëm, me kohë, në mënyrë cilësore apo edhe të mos kryhen fare.

E gjithë kjo mund të ndikoj në mos arritjen e objektivave të përcaktuara nga departamentet përkatëse. Ministri duhet të ndërmarrë të gjitha veprimet e duhura që të eliminohen arsyet apo pengesat e plotësimit të pozitave të lira, posaçërisht pozitave kyçe.

Planifikim dhe performancë e dobët buxhetore.

Auditori në ministrinë e Financave ka vërejtur edhe realizim të dobët të buxhetit.

“Fakti që buxheti fillestar rezulton me vetëm 65% të realizimit përfundimtar të buxhetit, shpalos dobësi dhe mungesë të analizave në planifikimin e buxhetit. Për vitin 2018, ekzekutimi i buxhetit ne kategorinë mallra dhe shërbime është në nivel 75% në raport me buxhetin final”, thuhet në raport.

Nëse përjashtohet nga analiza krahasuese mjetet për fondin e mirëbesimit për Komunat Veriore dhe fondet e kontigjencës shtetërore, përqindja e realizimit arrin në 91%, mirëpo ende mbetet në nivel jo të kënaqshëm.

Një realizim i dobët vërehet sidomos në kategorinë mallra dhe shërbime 77% situatë po thuaj e ngjashme ishte edhe në vitin e kaluar.

Shkallë e ulët e ekzekutimit vërehet edhe tek subvencionet dhe transferet me 82%. Kjo kishte ndodhur si rezultat i mosrealizimit të disa projekteve tek mallrat dhe shërbimet, pasi që njësit e kërkesës nuk kanë proceduar me kohë kërkesat e tyre në zyrën e prokurimit për zhvillimin e këtyre aktiviteteve .

Ndërsa, subvencionet dhe transferet nuk ishin shpenzuar për faktin se ky fond kryesisht përbëhet prej kontigjencës shtetërore e cila nuk menaxhohet nga MF.

Kjo, sipas Auditorit ka ndikuar negativisht në performancën e përgjithshme buxhetore.

Rreziku shpërputhet në mes planifikimit dhe ekzekutimit të buxhetit ndikojnë në mbetjen e tepricave buxhetore, në njërën anë, dhe mosrealizimin e projekteve të parapara, në anën tjetër.

Auditori jep vërejtje se shfrytëzimi joefikas i burimeve në dispozicion rritë rrezikun për mos arritjen e objektivave të Ministrisë.

Po ashtu, Auditori rekomandon se ministri duhet të siguroj se me rastin e përgatitjes së buxhetit vjetor, janë kryer analiza të hollësishme, duke iu referuar edhe të dhënave historike të viteve të fundit.