Infektivi 1 koronavirus covid 1100x620

​Dy raste me COVID-19 në Shqipëri, numri më i ulët ditor i të prekurve që nga fillimi i pandemisë

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka informuar se Shqipëria ka identifikuar brenda 24 orëve të fundit, numrin më të ulët të të prekurve me COVID-19, me vetëm 2 raste, që nga fillimi i pandemisë.

Eugen Tomini, shefe e Survejancës dhe Shërbimit të Inteligjencës Epidemike pranë Institutit të Shëndetit Publik, u shpreh se “në vend vazhdon prezenca e rasteve sporadike, prezenca e vatrave dhe nuk vërehet qarkullim i dendur në popullatë.

Situata epidemiologjike në vend paraqitet e qëndrueshme, mbështetur në identifikimin e rasteve të reja, hetimin aktiv të tyre dhe numrin e pacientëve që po trajtohen në spital. Sot është dita me numrin më të ulët të rasteve pozitive të konfirmuara, që nga fillimi i epidemisë”.

Tomini informoi se janë testuar 168 qytetare si të dyshuar si të prekur me COVID-19 dhe kanë rezultuar pozitivë 2 qytetarë, në Qarkun Durrës. Të shëruar janë 12 qytetarë.

Rastet e reja janë kontakte të personave që tashmë rezultojnë pozitivë, ndërkohë që po vazhdon hetimi epidemiologjik aktiv në terren.

Deri më sot në Shqipëri janë kryer mbi 12,500 testime dhe janë konfirmuar pozitivë me COVID-19 në të gjithë vendin 948 qytetarë. Prej tyre, rreth 77% janë të shëruar.

Në Shqipëri aktualisht janë 190 persona aktivë me COVID-19, kryesisht ne Tiranë, Durrës Krujë, Shkodër.