53619743 2241963546015409 8304859500687392768 n

Gjilani merr mbështetje prej 1.7 milionë euro nga MIT-ja për projekte lokale

Ministri i Infrastrukturës dhe Transportit Pal Lekaj, sot priti në takim kryetarin e Gjilanit Lutfi Haziri, me të cilin ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi, në mbështetje të projekteve lokale të kësaj komune. Komuna e Gjilanit për vitin 2019, nga Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit përfiton mbështetje financiare në vlerë prej 1.700.000 euro, për realizimin e disa projekteve të reja infrastrukturore locale, përcjell Rajoni.info.

Ministri Lekaj kërkoi nga i pari i Gjilanit implementim cilësor të projekteve dhe respektim të afateve kohore për zbatim të tyre. Lekaj e siguroi kryetarin Haziri se mbështetja e vazhdueshme e MIT-së për komunat nuk do të mungojë, sepse kështu i kontribuohet mirëqenies qytetare dhe qeverisjes lokale, në përmbylljen e projekteve infrastrukturore që i tejkalojnë mundësitë e tyre financiare.

Gjatë këtij takimi, Lekaj kumtoi edhe lajmin se zgjerimet e hyrjeve në drejtim të Gjilanit nga Prishtina dhe Kllokoti do të fillojnë në muajin qershor. Këto dy investime që secila kanë kosto nga rreth 4 milionë euro, realizohen me kredinë nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim.

Lekaj dhe Haziri diskutuan edhe për zhvillimin e punimeve në autostradën e Gjilanit, duke ritheksuar edhe rëndësinë e këtij investimi në lidhjen e korridoreve evropiane.

I pari i Gjilanit duke e falënderuar ministrin Pal Lekaj, tha se kjo ndihmë e nivelit qendror, konkretisht nga MIT-ja për projektet lokale është dëshmi se të dyja nivelet kanë bashkëpunim të mirë dhe i kontribuojnë mirëqenies së qytetarëve pa dallim bindjesh politike dhe se kjo praktikë duhet vazhduar. Ai shtoi se Gjilani po e merr vëmendjen e merituar, e cila ka munguar më herët./Rajoni.info/