Gbv media

Grupi për Siguri dhe Barazi Gjinore u bën thirrje institucioneve për parandalimin e dhunës ndaj grave

Grupi për Siguri dhe Barazi Gjinore dënon vrasjen e kohëve të fundit të një gruaje dhe vajzës së saj në Gjakovë dhe bën thirrje për një reagim më të fuqishëm institucional për të parandaluar dhe për t'iu përgjigjur dhunës me bazë gjinore

Grupi për Siguri dhe Barazi Gjinore dënon ashpër rastin e fundit të dhunës në familje me pasoja tragjike në komunën e Gjakovës, duke përfshirë vrasjen e një gruaje dhe vajzës së saj nëntëvjeçare nga bashkëshorti i saj në fshatin Brekoc dhe u bën thirrje institucioneve përgjegjëse që t’i intensifikojnë përpjekjet e tyre për të forcuar reagimin dhe parandalimin e rasteve të tilla.

Dhuna ndaj grave dhe vajzave është shkelje e rëndë e të drejtave të njeriut të cilës mund t'i jepet fund duke i adresuar shkaqet e saj kryesore - pabarazinë gjinore dhe diskriminimin ndaj grave dhe duke zbatuar sundimin e ligjit dhe qasjen në drejtësi për të gjithë.

Çdo veprim i dhunës kundër grave dhe fëmijëve i kryer në sferën private ose publike kërkon zbatim të detyrimeve të institucioneve për të parandaluar, hetuar dhe dënuar të gjitha aktet e dhunës.

Dhuna ndaj grave dhe fëmijëve ka pasoja të tmerrshme për viktimat, por gjithashtu ndikon negativisht në familjet, komunitetin dhe shoqërinë në përgjithësi. Fuqizimi i grave dhe përfshirja e burrave në luftën kundër dhunës mbi baza gjinore është vendimtare për eliminimin e dhunës, shpëtimin e jetës dhe parandalimin e vuajtjeve njerëzore. Të gjitha gratë dhe burrat, vajzat dhe djemtë që përjetojnë dhunë duhet të përfitojnë nga qasja më e madhe në kujdes, mbështetje, drejtësi dhe shërbim të tjera të nevojshme për të siguruar mirëqenien fizike, mendore dhe sociale.

Vrasjet që lidhen me gjininë nuk janë incidente të izoluara që lindin befasishëm dhe papritur, por ato janë shpesh akti i fundit, apo përfundimtar i një vazhdimësie të diskriminimit dhe dhunës në bazë gjinore.

Ne e njohim përparimin e konsiderueshëm që ka bërë Kosova në lidhje me legjislacionin për të luftuar dhunën kundër grave dhe fëmijëve, por ne duhet të vazhdojmë përpjekjet tona të përbashkëta për të mbështetur zbatimin e plotë dhe efektiv të legjislacionit ekzistues.

Grupi për Siguri dhe Barazi Gjinore (në tekstin e mëtutjeshëm GSBGJ) bën thirrje për:

• Strategji efektive parandaluese që adresojnë shkaqet rrënjësore të pabarazisë gjinore në mënyrë që gratë dhe burrat të vlerësohen njësoj në shoqëri dhe të mund të ushtrojnë të drejta të barabarta;

• Rritje të koordinimit midis institucioneve kyçe në ofrimin e një reagimi të menjëhershëm dhe shërbimeve të fokusuara në të mbijetuarit;

• Masa për të siguruar që organet e ndryshme në shoqëri të jenë përgjegjëse, veçanërisht ato që janë përgjegjëse për zbatimin e ligjit;

• Institucionet e drejtësisë t’i  trajtojnë rastet e dhunës në familje me prioritet më të lartë dhe të sigurojnë gjykim të drejtë të këtij rasti, e duke vepruar kështu,  të garantojnë drejtësi për familjen e viktimave të vrara dhe për të gjitha gratë, vajzat, burrat dhe djemtë të cilët janë prekur nga çdo formë e dhunës në familje.

GSBGJ shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjen dhe miqtë e viktimave.

 

Shënim:
Grupi për Sigurisë dhe Barazi Gjinore (GSBGJ) është grup shumë palësh, kryesuar nga UN Women. Institucionet e mëposhtme janë anëtarë të GSBGJ dhe mbështesin këtë deklaratë publike:
Organizatat ndërkombëtare: Agjencitë e UNKT-së duke përfshirë Koordinatorin për Zhvillimit të KB, UN Women, UNDP, UNICEF, UNOPS, UNFPA, si dhe të tjerë si UNMIK, EULEX, OSBE.
Institucionet kosovare: Agjencia për Barazi Gjinore.

Organizatat e grave: Rrjeti i Grave të Kosovës, Qendra Kosovare për Studime Gjinore, Kosova - Gratë për Gratë, Qendra Kosovare për Rehabilitimin e Viktimave të Torturës, Fondacioni Jahjaga, KIPRED, INJECT.

Kjo deklaratë mbështetet gjithashtu nga: Iniciativa e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut, ECMI Kosovo.