Auto auto komf logo14900889561514539076

KOMF: Kosova të rrisë përpjekjet në mbrojtjen e fëmijëve

Në Ditën ndërkombëtare të Fëmijëve, Koalicioni i OJQ–ve për Mbrojtjen e Fëmijëve në Kosovë – KOMF, ka adresuar rekomandimet kryesore nga Indeksi i Mbrojtjes së Fëmijës për fushat që kanë nevojë për ndërhyrje të menjëhershme.

Sipas kumtesës nga KOMF, Indeksi ka vlerësuar pesë dimensione të veprimeve të Kosovës që i referohen mbrojtjes së fëmijës. Këto pesë dimensione janë: politikat dhe ligjet, shërbimet, kapaciteti, koordinimi dhe llogaridhënia.

Indeksi vë në pah se Kosova ka një boshllëk të madh mes legjislacionit të miratuar dhe zbatimit të tij.

Kosova duhet të zbatojë legjislacionin dhe të sigurojë burimet adekuate përmes së cilave do të fuqizojë sistemin e mbrojtjes së fëmijëve. Kosova duhet të bëjë investime financiare për të ndërtuar kapacitetet që do të mbyllnin hendekun midis legjislacionit dhe zbatimit të tij, thotë kumtesa e cila jep edhe rekomandime të përgjithshme:

- Sigurimi i financimit të qëndrueshëm dhe adekuat për shërbimet sociale në Kosovë;

- Miratimi i standardeve financiare në harmoni me standardet e cilësisë;

- Operacionalizimi dhe fuqizimi i mekanizmave koordinues në nivel qendror si dhe shkrirja e mekanizmave koordinues për mbrojtjen e fëmijëve në nivel lokal, në një mekanizëm;

- Krijimi i mekanizmave të jashtëm dhe të pavarur të inspektimit për të shqyrtuar cilësinë e shërbimeve të ofruara (private e publike) dhe për të administruar licencimin;

- Planifikimi dhe zbatimi i procesit të licencimit të detyrueshëm për shërbimet publike të ofruara nga QPS ose autoritetet e tjera publike;

- Sigurimi i proceseve për pjesëmarrjen e fëmijëve në çdo proces vendimmarrës për fëmijët;

- Hapja e një linje të re telefonike pa pagesë, të dizajnuar me dhe për fëmijët. Shërbimi duhet të pranojë telefonatat dhe të ofrojë mbështetje, këshillim për fëmijët në situata të dhunës, abuzimit, neglizhimit, abuzimit me substanca narkotike, trafikimit dhe formave të tjera të shfrytëzimit;

- Hulumtimi dhe grumbullimi i të dhënave duhet të konsolidohen për të përcaktuar numrin e fëmijëve për secilën komunë, numrin e fëmijëve me aftësi të kufizuara, fëmijët e përfshirë në punë, fëmijët viktima të abuzimit me narkotikë etj.

Përderisa, fushat kritike të cilat Kosova ka treguar rezultate të dobëta dhe indeksi rekomandon që duhet të ndërmerren veprime urgjente janë: mbrojtja e fëmijëve me aftësi të kufizuara, mbrojtja e fëmijëve të përfshirë në punë të rënda dhe mbrojtja e fëmijëve viktima të abuzimit me substanca narkotike.