Kriza p%c3%abr uj%c3%ab.jp

Kriza e ujit në Gjilan, komuna në ndjekje të keqpërdoruesve – gjoba deri në 300 euro

Niveli i ujit në pendën e Përlepnicës, nga i cili furnizohen me ujë të pijshëm rreth 60 për qind e qytetarëve të Komunës së Gjilanit, ka rënë në 16.50 metra.

Shkak për këtë është thatësia e madhe nga mungesa e reshjeve atmosferike muajve të fundit, që janë burim i furnizimit me ujë të kësaj pende.

Lidhur me këtë në një përgjigje për lajmi.net, Komuna e Gjilanit ka thënë se pas rënies drastike të nivelit të ujit në pendën e Përlepnicës kryetari i kësaj komune, Lutfi Haziri ka shpallur gjendje emergjente.

Zëdhënësi i Komunës së Gjilanit, Ibrahim Ademi ka thënë për lajm.net se Komuna ka nxjerrë vendim mbi kufizimin e përdorimit të ujit të pijshëm, që nënkupton se mund të shfrytëzohet vetëm për nevoja të amvisërisë.

“Për shkak të rënies drastike të nivelit të ujit në pendën e Përlepnicës nga 30 në 16 metra, më 14 qershor kryetari Haziri e ka shpallë gjendje emergjente për shfrytëzimin e ujit të pijshëm, që nënkupton themelimin e një Task Force ku bën pjesë Komuna e Gjilanit, kompania Hidromorava dhe Policia e Kosovës. Po ashtu, kryetari Haziri ka nxjerrë vendim mbi kufizimin e përdorimit të ujit të pijshëm, që nënkupton se mund të shfrytëzohet vetëm për nevoja të amvisërisë, por jo edhe për ta përdor për kopshte, oborre dhe nga autolarjet”, ka thënë Ademi.

Ademi po ashtu ka thënë se deri tani, inspektorët e Komunës nuk kanë hasur në asnjë rast të keqpërdorimit të ujit të pijshëm, mirëpo ai ka paralajmëruar se do të ketë gjoba mandatorë deri në 300 euro për këdo që keqpërdor ujin e pijes.

“Ekipet e inspektoratit të Komunës, bashkë me ata të kompanisë Hidromorava dhe me asistim të policisë janë vazhdimisht në terren për të parë nga afër zbatimin e vendimit të kryetarit nga ana e qytetarëve. Deri tani, inspektorët e Komunës nuk kanë hasur në asnjë rast të keqpërdorimit të ujit të pijshëm nga ana e qytetarëve, për çka i falënderojmë shumë. Kryetari Haziri është në koordinim edhe me Qeverinë e Kosovës, përkatësisht me Departamentin e Ujërave dhe nesër (e mërkurë) pritet të zhvillohet një takim i nivelit të lartë në Gjilan të cilit i prin kryeministri i vendit, për të gjetur një zgjidhje afatgjate. Edhe sot, apelojmë qytetarët që të vazhdojnë ta kursejnë ujin, përndryshe do të pasojnë gjobat mandatore deri në 300 euro”, ka thënë Ademi.

Po ashtu gjatë ditës së sotme, qytetarët për lajmi.net kanë thënë se reduktimet e ujit janë shumë të mëdha, madje ata kanë deklaruar se ka tri ditë që nuk kanë ujë të pijshëm.