Euro

Miliardat e Kosovës në tregjet botërore

Më shumë se 2.5 miliardë euro ka arritur vlera e mjeteve të grumbulluara nga Trusti i Pensioneve dhe procesi i privatizimit, por paratë mbahen të ngrira në institucionet në tregjet e jashtme ndërkombëtare, si dhe në ato financiare në Kosovë.

Nga kjo shumë, mbi 1.8 miliard euro janë kursimeve të qytetarëve në Trustin e Kursimeve Pensionale të Kosovës. Përqindja më e madhe e këtyre mjeteve janë të investuara në tregjet e Gjermanisë, Japonisë, Anglisë, Francës dhe në tregjet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Kurse, vetëm nga Fondi i Mirëbesimit nga privatizimi dhe likuidimi i ndërmarrjeve shoqërore në Kosovë, deri në fund muajit maj të këtij viti, Agjencia e Privatizimit ka arritur që të grumbullojë më shumë se 730 milionë euro, të cilat janë të deponuara në Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës.

Nga Fondi i Mirëbesimit parashihet të kompensohen kredituesit potencialë të ndërmarrjeve shoqërore.

Kurse, në Buxhetin e Kosovës nga ky fond janë transferuar mbi 326 milionë euro, thuhet në një përgjigje nga zyrtarë të Agjencisë Kosovare të Privatizimit.

Ekspertë për çështje ekonomike vazhdimisht kanë kërkuar kthimin e këtyre mjeteve në Kosovë dhe gjetjen e mënyrave për lejimin e qarkullimit të tyre. Ata thonë se Kosova vazhdimisht kërkon donacione dhe investime të huaja, kurse vetë institucionet e Kosovës mbajnë të ngrira mjete në tregjet financiare ndërkombëtare.