Cc1943ab bb85 4455 af64 1b81c4eb62d6

Ministri i Drejtësisë bisedon për fuqizimin e sistemit të drejtësisë me ambasadorin britanik

Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi është takuar sot me ambasadorin e Britanisë së Madhe, Nicholas Abbott, me të cilin thuhet se ka diskutuar për punët, sfidat dhe prioritetet e tij për fuqizimin e sistemit të drejtësisë në Kosovë.

Sipas njoftimit të MD-së, Selimi ka përmendur angazhimin e tij në avancimin e kornizës ligjore që ndihmon në reformimin e sistemit të drejtësisë, identifikimin dhe ndërmarrjen e veprimeve konkrete në luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar.

“Si dhe trajtimin me prioritet të lartë të masave që ka prodhuar nisma reformuese e Rishikimit Funksional të Sundimit të Ligjit disa prej të cilave do të finalizohen gjatë njëqind ditorit të parë të qeverisjes”, theksohet në njoftim.

Ministri Selimi kërkoi që Britania të jetë përkrah Kosovës edhe në procesin e llogaridhënies.

“Qeveria Britanike mbetet partner kyç ndërkombëtar që mbështet konsolidimin e sistemit të drejtësisë dhe fuqizimin e sundimit të ligjit në Kosovë. Andaj, për ne është e rëndësishme që procesi i llogaridhënies të bashkëdyzohet me hisedarët tjerë, siç janë Britania e Madhe, ShBA-ja dhe BE-ja, të cilët kanë kontribuar për një kohë të gjatë në Kosovë”, citohet të ketë thënë Selimi.

Ndërsa më tej thuhet se, Abbott deklaroi se Mbretëria e Bashkuar do të vazhdojë të jetë partner për Republikën e Kosovës në luftimin e krimit dhe korrupsionit si dhe në forcimin e shtetit të së drejtës.