8e776d3f 0e46 44e8 b584 a0273ab1acb3

Mungon deputetja, dështon seanca për gazin lotsjellës në Kuvend

Ish-deputetja e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu, deputetja e AAK-së Donika Kadaj Bujupi, deputeti Pal Lekaj e ish deputetja Besa Baftiu, ka qenë dashur sot të ballafaqohen me akuzën e Prokurorisë për gazin lotesjellës në Kuvendin e Kosovës por mungesa e njërës prej tyre bëri që kjo seancë të mos mbahet.

Ishte Donika Kadaj Bujupi ajo që nuk u paraqit në seancë.

Lajmin për media e konfirmoi avokati Arianit Koci, mbrojtës i të akuzuarit Pal Lekaj.

Koci tha se në mungesë të Donika Kadaj Bujupit dhe mos pajisjes së avokatëve me shkresat e lëndës është shtyrë seanca e sotme.

Koci gjithashtu tha se në këtë seancë ishte paraparë që të akuzuarit të deklarohen rreth fajësisë.

Seanca e radhës është caktuar për 30 korrik.

Aktakuza e Prokurorisë ndaj tyre thotë se të akuzuarit Albulena Haxhiu, Besa Baftiu, Donika Kadaj Bujupi e Pal Lekaj, në shkurt të 2016, kanë futur bombola të gazit në Kuvendin e Kosovës duke kryer kështu veprën penale armëmbajtje pa leje.

Aktakuza ka të bëjë me kohën kur partitë atëherë në opozitë, Vetëvendosje, AAK dhe NISMA, kundërshtonin marrëveshjen Kosovë – Mali i Zi për demarkacionin e kufirit dhe marrëveshjen Kosovë – Serbi për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.