Mou md

Nënshkruhet Memorandum Bashkëpunimi për evidentimin e rasteve të dhunës në familje

Krijimi i bazës së të dhënave u mbështet nga zyra e UN Women në Kosovë, në kuadër të projektit regjional “Ndryshimi i mendesisë, zbatimi i normave: Eliminimi i dhunës ndaj grave – EVAW“ financuar nga Bashkimi Evropian.

Gjatë një ceremonie formale, sot u nënshkrua Memorandumi i Bashkëpunimit për Sistemin e Integruar të Evidentimit të Rasteve të Dhunës në Familje.

Memorandumi u nënshkrua mes Ministrisë së Drejtësisë, Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Këshillit Prokurorial të Kosovës si dhe Policisë së Kosovës.

Nënshkrimi i këtij memorandumi bart rëndësi të vecantë, pasi që do të ndikojë në parandalimin dhe mbrojtjen nga dhuna në familje. Sistemi i integruar i evidentimit të rasteve të dhunës në familje, do të mundësojë monitorimin dhe ndjekjen e rasteve të dhunës në familje në Kosovë, por mbi të gjitha do të ndikojë edhe në rritjen e llogaridhënies për rastet e dhunës.

"Databaza e dhunës në familje, nuk ka qëllim klasik grumbullimin e të dhënave sa për t’i evidentuar ato, por edhe analizën shkak-pasojë në mes tyre, analizën e rasteve të dhunës ne familje, rrjedhimisht, ndërtimin e një perspektive më efektive që i përgjigjet problemeve reale" theksoi ministri Abelard Tahiri, Ministër i Drejtësisë.

“Ky Memorandumi i Bashkëpunimit të cilin e nënshkruam sot për bazën e të dhënave për viktimat e dhunës në familje, e lehtëson punën tonë dhe koordinimin ndërinstitucional që në bazë të të dhënave të sakta për viktimat e dhunës, të avancojmë edhe shërbimet sociale në mbrojtje të kësaj kategorie,“ deklaroi Ministri Skender Reçica, Ministër i Punës dhe Mirëqenies Sociale.

"Baza e integruar e të dhënave mund të jetë një mjet i dobishëm në luftën kundër dhunës në familje. I përshëndes institucionet për përpjekjet dhe bashkëpunimin e tyre, që rezultoi në nënshkrimin e një Memorandumi të bashkëpunimit sot, por duhet theksuar që dhuna në familje kërkon përpjekje nga e gjithë shoqëria. Të gjithë duhet të raportojnë dhunën dhe të kuptojnë rëndësinë e raportimit të rasteve të dhunës në familje ", u shpreh Annette Fath-Lihic, Këshilltare Politike e Përfaqësueses Speciale të BE-së / Koordinatore Ekzekutive nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë.

"Përgëzoj Kosovën për bazën e integruar të të dhënave, e cila do të ndihmojë në përcjelljen e progresit lidhur me luftën kundër dhunës në familje“, tha Ulrika Rikardson, Kordinatore për zhvillim e Kombeve të Bashkuara, duke shtuar se: "Drejtësia nuk duhet të jetë e verbër para pabarazive gjinore!"

Rëndësia e këtij memorandumi u vlerësua edhe nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës:
„Kjo marrëveshje na obligon të merremi me këtë fenomen. Çdo ditë e më shumë ka raste të raportuara për viktimat e dhunës në familje dhe për ne kjo është një shenjë e mirë sepse tregon për vetëdijesimin e qytetarëve“ tha Qalaj.  Ai theksoi se „rastet e dhunës në familje janë rastet më komplekse, sfiduese dhe të ndjeshme.“

Kohëve të fundit Kosova ka shënuar progres  me kornizën ligjore për dhunën në familje, pasi që kodi penal është amandamentuar duke definuar qartë të gjitha  format e dhunës dhe duke sanksionuar dhunuesit. Prandaj duke lejuar grumbullimin e centralizuar të rasteve të dhunës në familje, kjo bazë e të dhënave shihet si një perparim më teper në këtë fushë, posacërisht duke marrë parasysh rritjen e raportimit të rasteve të dhunës në familje. Në vitin 2018 u raportuan 300 raste më tepër se në vitin paraprak.

„Baza e integruar e të dhënave për rastet e dhunës në familje do të shërbejë për statistika të sakta të rasteve të raportuara nga të gjitha institucionet që ofrojnë shërbime për viktimat, do të pamundësojë çdo lloj keqinterpretimi të statistikave dhe punës së institucioneve, do të mundësojë analizë të shkaqeve dhe faktorëve që lidhen me dhunën në Familje“ deklaroi Naim Qelaj, Kordinator Nacional për mbrojtje nga Dhuna në familje, duke shtuar se:

„Trajnimi i instituicioneve përgjegjëse është duke vazhduar në nivel qendror dhe komunal dhe deri më tani, më shumë se 120 përfaqësues të tyre jane aftësuar për futjen dhe menaxhimin e të dhënave.“

Kjo bazë e të dhënave do të udhëheqet dhe mbikëqyret nga Kordinatori Nacional për mbrojtje nga dhuna në familje. Krijimi i bazës së të dhënave u mbështet nga zyra e UN Women në Kosovë, në kuadër të projektit regjional “Ndryshimi i mendesisë, zbatimi i normave: Eliminimi i dhunës ndaj grave – EVAW“ financuar nga Bashkimi Evropian.