A578fd58 2077 48f2 9fa5 c5d3e45d76e8

Pandemia dëmtoi buxhetin e Kosovës për 133 milionë euro

Të hyrat buxhetore në periudhën mars-maj 2020 janë ulur për 133 milionë euro, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2019.

Kjo bëhet e ditur në raportin e Institutit GAP, të publikuar të dielën.

Qëllimi i raportit, sipas këtij instituti, është paraqitja e ndikimit të krizës së shkaktuar nga pandemia Covid-19 në të hyrat, shpenzimet dhe deficitin fiskal të vitit 2020, si dhe kufizimet dhe mundësitë që ka Qeveria e Kosovës për adresimin e krizës në aspektin buxhetor,.

“Në periudhën mars-maj 2020, kur ishin ndalur shumica e aktiviteteve në sektorin privat dhe atë publik në Kosovë për shkak të pandemisë COVID-19, të hyrat buxhetore ishin për 133 milionë euro (28.2%) më të ulëta së në periudhën e njëjtë të vitit paraprak, ndërsa shpenzimet për 4.7 milionë euro (1%) më të ulëta. Rënia e të hyrave krahas rritjes së shpenzimeve, do të bëjë që për herë të parë të tejkalohet rregulla e deficitit buxhetor. Me gjithë rritjen e deficitit, Kosova pritet ta ketë nivelin më të ulët të borxhit publik në rajon”, thuhet në raportin “Ndikimi i pandemisë COVID-19 në buxhetin e Kosovës”.

Sipas analizës së GAP-it Rënia e investimeve kapitale, ka për efekt në uljen e rritjes ekonomike, Ekonomia Online.

Instituti tërheq vërejtjen nga rreziqet që vijnë nga rritja e theksuar e subvencioneve që bëhet me qëllimin që të ndihmohet sektori privat.

“Megjithëse e nevojshme, rritja e subvencioneve si një nga kategoritë më pak të rregulluara ligjërisht, mund të krijojë hapësirë për abuzim të parasë publike”.

GAP-i në raport ka përmendur miratimin nga Qeveria të Pakos Emergjente Fiskale me vlerë prej 179.6 milionë euro, përkatësisht masave afatshkurta për adresimin e problemeve të shkaktuara nga Covid-19.

Po ashtu edhe pakon e dytë për Rimëkëmbje Ekonomike ku brenda dy vjetësh (2020-2021) planifikon të mobilizojë rreth 1.2 miliard euro.

Për të dyja pakot, raporti rekomandon koordinim të politikave ndërmjet Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës.

“Për shkak të kufizimeve ligjore, Pakoja Emergjente Fiskale dhe ajo e Rimëkëmbjes nuk do të mund të menaxhohen tërësisht pa përfshirjen e Kuvendit të Kosovës. Përveç nevojës për aprovim të Kuvendit për çdo transfers që tejkalon 25% të një ndarjeje buxhetore të institucionit përkatës, përfshirja e Kuvendit do të nevojitet edhe për miratim të marrëveshjeve të reja kreditore me 2/3 e votave të deputetëve. Në rast të mosaprovimit të marrëveshjeve kreditore, shpenzimet publike do të bien dhe kjo do të ndikojë në rënie të mëtutjeshme ekonomike”.