Qabone

Për të katërtën herë më radhë, grupi letrar “Gjimnazisti” boton përmbledhjen në prozë e poezi “Vrulle Rinore 4”.

Në librin që tanimë ka arritur 4 vëllime, kanë marrë pjesë shumë nxënës krijues nga gjimnazi “Eqrem Çabej” i Vushtrrisë. Përmes këtij botimi atyre po iu ipet shansi të dokumentojnë shkrimet e letrarëve të rinj; qofshin ata prozatorë apo poet.

Profesori drejtues i këtij grupi, Mentor Mani, vlerëson se ky është një sukses i radhës i nxënësve.

“Historisë së sukseseve të shkruara e të dokumentuara të Gjimnazit "Eqrem Çabej", iu bashkua edhe një margaritar letrar, që mban titullin "Vrulle Rinore 4". Nxënësit tanë, në mes datave të rëndësishme 5, 6 dhe 7 Mars, që shënuan kthesë serioze në rrugëtimin drejt Lirisë, Pavarësisë e zhvillumit të shkollës shqipe, na bënë dhuratë të veçantë, librin me poezi e prozë, duke shtuar kështu edhe një sukses të radhës, në bagazhin e sukseseve të tyre”, thotë Mani.

Ndërkaq nxënësit pjesëmarrës në këto botime librash, duket se janë të kënaqur nga mundësia që po iu ipet.

“Poezitë dhe prozat e mia për herë të parë janë publikuar në grupin letrar "Gjimnazisti", ku përmes këtij grupi unë kam mësuar dhe vazhdoj shumë gjëra rreth letërsisë, dhe njëra ndër synimet e mia është që një ditë ta botoj edhe librin tim”, thekson Albana Gashi, nxënëse.

Për librin i cili përbëhet nga 33 poezi e 30 proza, dhe klubin letrar “Gjimnazistit” kanë fjalë të mira edhe nxënësit e tjerë.

 “Të qenurit pjesë e një grupi letrar si "Gjimnazisti"  dhe botimi i shkrimeve të mia në pjesën e poezive është një nga përvojat më të mira që kam marrë kohën e fundit”, tha Fjolla Mani, transmeton Rajoni.info.

Profesori Mentor Mani tutje shpjegon procedurat në të cilat kanë kaluar si juri për përzgjedhjen e shkrimeve adekuade për botim.

‘’Për këtë vëllim, ashtu sikurse edhe për vëllimet tjera, grupi letrar kishte shpallur konkurs të brendshëm për të gjithë nxënësit e shkollës sonë, që merren me shkrime dhe pasi janë pranuar punimet në redaksi, ato kanë kaluar për vlerësim në jurinë profesionale”, tha profesor Mani.

Ndërkaq, nga ky grup letrar kanë arritur nxënësit të sjellin edhe botime të vetat, si Ejonë Hasani, Medina Pasoma, etj./Rajoni.info/