Fustan

Punimet tradicionale po vazhdojnë edhe pse nuk ka fitim nga to

Punimet tradicionale duke filluar nga çorapet, plisat, veshjet kombëtare, flamura e shumë të tjera, janë disa prej punë dorës të cilat gratë i punojnë dhe mundohen ta vazhdojnë traditën shqiptare, shkruan Rajoni.info.

Përvoja në këto punime është shumë e madhe, ngase përcillet brez pas brezi duke pasur qëllim që të jemi më afër kulturës tonë dhe t'i dimë vlerat e kombit tonë.

Këtë punë tash e 15 vite po e bën edhe punëtorja Shukrie Osmani nga Sllatina e madhe.

Ajo tregon se puna e parë e saj ishte qepja me gjilpër e më pas duke vazhduar me krrabza por duke mos u ndalur me kaq, pasi pasion tjeter kishte edhe punimet në veshjet kombëtare tradicionale dhe shumë të tjera.

“Prej 15 vjecares merrem me këtë punë. Mas pari ia kam nis me kep me gjilpan, me maru me krrabza edhe pse i kom pas fminë e vegjël.Maroj rruza me dorë, punoj veshje kombëtare, papuqe, çorapa, shoka.” Ka treguar Shukria.

Ashtu si punëtorja Osmani edhe Emine Tahiri nga Mitrovica thotë se këtë punë e bën prej viteve 80-ta e të gjitha të punuara me grrep e krrabza.

Sipas saj, secila punë që niset merr kohë shumë duke filluar nga më të thjeshtat, një palë çorape.

“Me këto punë merrna prej viteve të 80-ta.Të gjitha janë punë dore me grep me krrabza e kështu. Punimi i tyre merr kohë shumë një palë çorap duhen dy ditë kurse këto të vekut me muaj marrin kohë.”, ka theksuar Tahiri nga Mitrovica.

Të dyja pranojnë se përfitimet në krahasim me shpenzimet janë më të vogla dhe se vendorët e vlersojnë më shumë se turistët.

“Fitim shumë pak, punën e dorës nuk e vlersojnë sa duhet shumë pak kemi fitim. Ma shumë e vlersojnë vendort se turist.” ka thënë Osmani nga Sllatina e madhe

“Fitimi është i vogël po diqka po duhet me punu, përshembull një palë çorap janë 5 euro.”, ka vazhduar Eminja

Asnjërën kjo çështje nuk po e demoralizon, ngase vullneti për punë është më i madh.

Ato mendojnë që këtë punë të i'a dorëzojnë edhe vajzave e mbesave të tyre pasi deri më tani kanë mbajtur familjën dhe kanë shkolluar edhe fëmijët e tyre.

Ndërsa sa i përket hapsirës që ato shfrytëzojnë bashkë me koleget e tjera thonë se nuk kanë pasur problem dhe se për shitjet nën tendë kanë kryer edhe trajnime.

Devlete Deda