Albulena haxhiu

Raportimet për vendimin pro Thaçit, Haxhiu ngutet ta quaj jo të pavarur Kushtetuesen

Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka reaguar pas raportimeve në media se Kushtetuesja tashmë ka marrë vendim që ta rrëzojë dekretin e presidentit Thaçi, mirëpo që këtij të fundit do t’i jap afat 15 ditë kohë për ta caktuar mandatarin e ri për kryeministër.

Haxhiu sot ka postuar në Facebook një shkrim ku thotë se publikimi i aktgjykimit në media, ende pa u bërë publik zyrtarisht, tregon se Gjykata nuk është e pavarur, shkruan lajmi.net.

Madje, ministrja e Drejtësisë edhe e ka komentuar vendimin e raportuar në media, duke thënë se Gjykata e ka në interpretimin e Kushtetutës, dhe jo amandamentimin e saj.

“Sipas Kushtetutës, nuk ka afat për mandatarin. Gjykata nuk mund të caktojë afat. Kjo do ta shkatërronte rendin kushtetues dhe demokracinë”, ka thënë Haxhiu.

Kujtojmë, se ishte pikërisht ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ajo që nuk u përgjigj në pyetjen se a do ta respektojë partia e saj një vendim të Gjykatës Kushtetuese, nëse i njëjti nuk është në favor të tyre.

Në lidhje me këtë çështje, Haxhiu kishte thënë se nuk mund të përgjigjet me po ose jo, dhe se e njëjta është një “pyetje e vështirë”.