47566b88 3718 4713 b852 58200eff5864

Rasti Ivanoviq kthehet në gjykim me 5 shkurt

Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti Special, ka caktuar datën për vazhdimin e procesit gjyqësor lidhur me vrasjen e politikanit serb Oliver Ivanoviq.

Dragisha Markovic, Silvana Arsovic dhe Zharko Jovanoviq, dyshohen se u kanë ndihmuar autorëve me veprimet e tyre në kryerje të vrasjes së politikanit Ivanovic.

Për mediat , vazhdimin e seancës të këtij procesi gjyqësor e ka konfirmuar avokati Musa Damati.

Avokati Damati është mbrojtës i të dyshuarës, Silvana Arsoviq.

“Ështe caktuar data për vazhdimin e procesit penal gjyqesor lidhur me rastin e vrasjes së politikanit serb Oliver Ivanoviq, seanca fillestare është caktuar të mbahet për datën 5 Shkurt 2021 pranë Departamentit Special në krimet e renda të Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Për këtë rast penal shqyrtimi ka filluar në Dhjetor të vitit 2019 me ngritjen e aktakuzës së parë, ndërsa deri tash në këtë proces gjyqesor janë ngritur tri aktakuza, duke u plotesuar dhe ndryshuar ato vazhdimisht nga organi i akuzës. Në këtë proces voluminoz penal të vrasjes se politikanit Ivanoviq është e pa pranueshme shtyerja e vazhdueshme e seancave në mungesë të përmbushjes së detyrimeve ligjore për të siguruar një gjykim të drejtë dhe brenda afateve të arsyeshme kohore”, ka deklaruar, avokati Musa Damati.

Ai ka thënë se klientja e tij është në liri.

“Klientja ime e akuzuar në këtë rast penal është në liri dhe ndaj saj nuk ka ndonjë masë izoluese”, ka thënë avokati Musa Damati.

Bëjmë të ditur se Oliver Ivanovic, lideri i Partisë Liri, Demokraci dhe Barazi u qëllua për vdekje më 16 janar 2018 në pjesën veriore të qytetit të Mitrovicës. Mediat serbe e përshkruan vrasjen si akt të kryer në makinë nga më shumë se një person, ndërsa Ivanovic po shkonte në zyrat e partisë.

Policia dyshon se një makinë e gjendur e djegur në një tjetër rrugë të Mitrovicës është përdorur nga autorët e krimit, e më pas është djegur për të humbur gjurmët. Në nëntor 2019, Policia e Kosovës ka arrestuar tre persona në veri të Mitrovicës, të cilët dyshohet se kanë lidhje me vrasjen e Ivanovicit.

Raporti i Policisë se si ka ndodhur ngjarja:

Rreth orës 08:10 min, në rrugën “Sutjeska” në veri të Mitrovicës, është regjistruar një incident me përdorim armë zjarri, me ç’rast persona deri më tani të panjohur kanë shtënë në drejtim të z. Oliver Ivanovic, i cili fillimisht është plagosur në afërsi të zyrës së tij të punës.

Viktima është dërguar në qendrën spitalore në veri të Mitrovicës për reanimim, ndërsa mjekët kujdestarë kanë konstatuar vdekjen e tij.

Njësitë policore kanë dalë në vendngjarje ndërsa këqyrja e vendit të ngjarjes është në vazhdim e sipër. Në vendngjarje janë gjetur prova materiale të cilat do të përdoren në procedurën e mëtejme hetimore.

Gjithashtu, rreth orës 09:15min, në rrugën “Vojvode Putnika” në veri të Mitrovicës, është lokalizuar një veturë private e markës “Opel Astra”, pa targa të regjistrimit, të cilës paraprakisht i ishte vënë zjarri, ndërsa Policia dyshon se mund të jetë e lidhur me rastin e vrasjes.

Për të gjitha rrethanat e rastit dhe veprimet e ndërmarra të Policisë është informuar prokurori i Shtetit, i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, i cili ka dalë në vendngjarje.

Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në zbardhjen sa më parë të këtij rasti dhe sjelljen e personit/ave të dyshuar para organeve të drejtësisë.