25e8cc6b 73ac 4088 ba4f d26fbdd9deee

Rritja e nivelit të lumenjëve sipas Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka njoftuar se në 24 orët e fundit janë regjistruar ngritje enorme dhe të shpejta në lumin “Drini i Bardhë”, në Këpuz, ku ka ngritje të nivelit të ujit nga 2.726 centimetra në 6.748 centimetra, apo për 3.498 centimetra më shumë.

 

Rritje të nivelit të ujit ka pasur edhe në lumin “Morava e Binçës” në Konçul. Niveli i ujit në këtë lum është rritur nga 3.313 në 6.616 centimetra ose 3.303 centimetra më shumë.

Sipas të dhënave të Institutit, në të gjithë lumenjtë e vendit, në të cilët ka matje automatike dhe transferim online të të dhënave, ka ngritje të niveleve të ujit.

 

Gjendja e niveleve të ujit në lumenjtë kryesorë të Kosovës: nga 10 janar 2021 (08:00) – deri më 11 janar 2021 (08:00)


 

Reshjet e shumta të rëna gjatë këtyre ditëve kanë përfshirë gati të gjithë territorin e Kosovës, duke shkaktuar vërshime masive nëpër disa zona të vendit.

Sipas Institutit, kësaj gjendje i ka paraprirë edhe sasia e borës e rënë ditë më parë, e cila si pasojë e temperaturave pozitive është shkrirë me shpejtësi duke e vështirësuar edhe më tepër këtë situatë.

“Edhe gjatë 24 orëve të fundit kanë vazhduar reshjet me intensitet të shtuar në tërë vendin, të cilat edhe më tepër e kanë përkeqësuar situatën me vërshime”, thuhet në njoftimin e Institutit.

Lumenjtë kryesorë të Kosovës, gjatë orëve në vazhdim, parashikohet të kenë nivele dhe prurje shumë të larta, ku maksimumi i tyre pritet të arrijë gjatë orëve në vijim.

Situata pritet të stabilizohet gradualisht, duke filluar nga dita e sotme, për të vazhduar me tendencë të rënies së lehtë të niveleve dhe prurjeve të ujit, e cila do të vazhdojë deri më 31 janar 2021, ku përsëri do të kemi reshje të herëpashershme shiu dhe bore të intensitetit më të ulët dhe me karakter lokal.