Viktimat 600x360

Shkon në mbi 35 mijë shifra globale e vdekjeve nga koronavirusi

Sipas të dhënave të Universitetit “Johns Hopkins”, numri i të vdekurve nga koronavirusi në mbarë botën ka shkuar në mbi 35 mijë persona.

Prej fillimit të përhapjes në dhjetor të vitit të kaluar në Kinë, virusi ka arritur në 177 shtete dhe territore në mbarë botën. Sipas këtij universiteti, numri i të infektuarve ka shkuar në rreth 738 mijë njerëz.

Për fat të mirë, 156 mijë e 500 persona të diagnostikuar me këtë virus tashmë janë shëruar dhe janë liruar nga spitalet, shkruan “Anadolu”, transmeton Gazeta Express.

Italia, Spanja, Kina, Irani dhe Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të mbeten vendet më të prekura. Shtetet e Bashkuara janë në vendin e parë në botë me numrin e  të infektuarve – 143 mijë raste. Italia është në vendin e parë me numrin e viktimave – 10 mijë e 779.

Spanja ndodhet në vendin e dytë për numrin e viktimave me 7340 të vdekur, ndërsa në vendin e tretë është Kina me 3308 të vdekur e 82 mijë të infektuar.

Shumë shtete kanë marrë masa të ashpra kundër përhapjes së virusit, përfshirë shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme, kufizimin e lëvizjes dhe mbylljen e kufijve.