61618172 656997358056638 7386112712708718592 n

Ujërat e zeza i marrin punimet e ekspozitës në Fakultetin e Arteve

Ujërat e zeza kanë përfshirë sot katin përdhesë të Fakultetit të Arteve, e cila ka dëmtuar disa nga skulpturat e ekspozitës së sotme, shkruan Rajoni.info.

Studentët e këtij fakulteti kanë hapur sot ekspozitën e tyre në të gjitha katet, mirëpo në katin përdhesë, klasat në të cilat kanë qenë të vendosura skulpturat dhe punimet tjera,  i ka marrë uji.

Studentët pohojnë se reshjet e mëdha të shiut, kanë bllokuar korridoret e këtij kati, në të cilën edhe punimet e tyre kanë mbetur aty pasi nuk kanë mundur ti nxjerrin përjashta.

“Uji ka hyrë prej jashtë pasi është blloku kanali i ujit të kanalizimit dhe ai ujë ka hyrë brenda klasës ku dhe i kam punimet”, thotë studentja e skulpturës, Elvira Dibrani.

Ajo thekson se dëmet e punimeve dhe gjërave të tjera që kanë pasur brenda, bashkë me studentët e tjerë, kanë  një vlerë shumë të madhe dhe se si studentë nuk marrin asnjëherë dëmshpërblim për to.

Ky problem nuk është vetëm i ditës së sotme. Sipas saj, çdo herë që ka kushte të tilla atmosferike, gjendja është alarmante, mirëpo në kushte të tilla, janë detyruar të qëndrojnë dhe të mësojnë në klasë.

“Ka pasur rast kur uji ka hyrë për dy muaj brenda, sa kanë qenë kushtet atmosferike të ftohta  edhe na jem detyrua me msu në qato kushte me po atë erë të kanalizimit, e me qata ujë.  Po ashtu, vet kemi, marrë iniciativën me pastru edhe me largu ujin se kurrkush nuk ka marr përgjegjësi për këtë gjë”, tregon Elvira, studente e vitit të parë.

Në anën tjetër, këtë gjendje po e sheh alarmuese edhe vet kryetari i organizatës studentore “Paqja Studentore”, Erzen Hyseni, i cili thotë se zyrën e tyre, e cila gjendet në po këtë kate, po e merr uji çdoherë në kushte të tilla atmosferike.

Ai thotë se, për këtë problem iu kanë drejtuar dekanit të fakultetit, Agim Selimi, mirëpo ky i fundit, ia ka lënë fajin komunës.

“Si organizatë me këtë problem përballemi tash e një kohë, duke na pamundësuar që të kryejmë aktivitetet tona. Jemi ankuar te dekani, por ai fajin ia ka lënë komunës. Na është dashtë që pastrimin ta bëjmë vetë bashkë me studentët, sepse as për të s’është kujdesur Fakulteti”, tregon kryetari i PS-UP-së, Erzen Hyseni.

Portali ynë është munduar të ketë kontakt me dekanin e FA-së. Ai është përgjigjur në telefon por nuk ka arritur të jap përgjigje me arsyetimin se nuk i dëgjonte pyetjet e gazetarës.

Megjithatë, ai ka arritur të thotë se asnjëherë nuk ka marrë ankesa prej studentëve.

Edhe pse, kërkesat nuk kanë arritur të dekani, studentët dhe përfaqësuesit e organizatës PS-UP, kërkojnë edhe njëherë nga ai që të merret më seriozisht ky problem dhe t’i bëjnë më shumë presion komunës.

“Kërkojmë nga përgjegjësit e FA-së, të bëhet kompensimi i tyre dhe të bëhet zgjidhja e problemit sepse në ato kushte nuk qëndron një kafshë e lëre më një njeri”

“Ajo që duhet të bëjë ky fakultet, është presioni i vazhdueshëm drejtuar komunës së Prishtinës, që të ndërmarrë hap më serioz për zgjidhjen e këtij problemi”.

Gjatë ditës, rajoni.info ka punuar për të kontaktuar edhe me zyrtarë të tjerë të Fakultetit të Arteve dhe me zyrtarët komunal, por kontakti me ta ka qenë i pamundur. /Rajoni.info/ Kaltrina.B